Komuna e Gjakovës e ka lansuar Forumin për Transparencë, mekanizëm ky që është formuar nga Kuvendi i Komunës dhe i cili përbëhet nga anëtarë të Kuvendit të Komunës, zyrtarë komunal dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Ky Forum do ta ketë synim kryesor hartimin dhe dhe implementimin e Planit të Veprimit për transparence komunale, me qëllim ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në komunën e Gjakovës dhe si dhe anëtarësimin e komunës së Gjakovës në organizatën ndërkombëtare “Partneritetin për Qeverisje të Hapur – OGP”.
Në ceremoninë e lansimit të Forumit për Transparencë ka marrë pjesë edhe ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoreshë e lartë e NDI, organizatë e cila edhe e ka përkrahur themelimin e Forumit. Në fjalën e saj, ambasadorja Soderberg ka thënë se komuna e Gjakovës shquhet për nivel të lartë të transparencës dhe llogaridhënies prandaj po ndjehet e lumtur që kjo komunë ka vendosur të avancohet edhe më tej në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës Ardian Gjini ka shfaqur garancinë e tij se komuna do të jetë e përkushtuar në ngritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies.