Janë konstituuar sot dy Komitete Konsultative, të cilat do të funksionojnë në mandat 4 vjeçar në kuadër të Kuvendit të Komunës së Gjakovës.
Në prezencën e kryesueses së Kuvendit të Komunës Arbëresha Kuqi, janë konstituuar dhe janë zgjedhur kryesuesit e Komitetit Konsultativ për Arsim dhe atij për Shëndetësi.
Me këtë rast, duke ju dëshiruar punë të mbarë, kryesuesja Kuqi ka thënë se këto dy Komitete pritet të jenë organe tejet të rëndësishme dhe përkrahje e madhe për Kuvendin e Komunës, në ngritjen e cilësisë dhe shtyrjen përpara të zhvillimeve në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë.
Detyrë e këtyre dy komiteteve është monitorimi i zhvillimeve në sektorët përkatës dhe dhënia e ideve dhe rekomandimeve për qeverisjen lokale.
Komitetet Konsultative, janë të obliguara që të paktën një herë në vit të raportojnë para Kuvendit Komunal për punën dhe aktivitetin e tyre.