Me një akademi përkujtimore, është shënuar sot 20 vjetori i betejës së Çabratit, betejë kjo që u kthye në një epope dhe hyri fuqishëm në historinë e lavdishme të përpjekjeve dhe sakrificës së Gjakovës për liri dhe pavarësi.
I pranishëm në këtë akademi ishte edhe kryeministri i Kosovës, ish – komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, i cili në fjalën e tij mes tjerash tha se Beteja e Çabratit ka prezantuar një dimension të ri dhe krejt ndryshe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të pjesëmarrësve të kësaj beteje dhe të veteranëve të Brigadës 137 Gjakova, disa kujtime ka evokuar komandanti i parë i kësaj brigade Agron Kryeziu, i cili mes tjerash e ka vlerësuar lartë angazhimin, kontributin dhe sakrificën e të gjithë pjesëtarëve të brigadës dhe pjesëmarrësve në këtë betejë.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, në fjalën e tij ka rikujtuar se është pikërisht angazhimi dhe sakrifica në këtë betejë dhe në betejat tjera si dhe gjaku i të rënëve, ajo që ka ndikuar që ne sot të jetojmë të lirë dhe krenarë për bijtë dhe bijat që nuk hezituan t’i dalin në mbrojtje vendit.
Në betejën e Çabratit kanë rënë heroikisht 32 dëshmorë, ndërsa në emër të familjeve të këtyre dëshmorëve, në këtë akademi ka folur Erita Gjikolli, motra e dëshmorit Ahmet Gjikolli.