Pas një pauze disa vjeçare, është riaktivizuar Shoqata e Zejtarëve të Gjakovës. Zejtari i njohur në Gjakovë Durim Lama është zgjedhur si kryetar i ri i shoqatës, ndërsa pjesë e bordit drejtues do të jenë edhe Ruzhdi Qarri, Berat Hasi, Yllka Haxhiu dhe Amir Shehu.
Para mbajtjes së procesit zgjedhor, si mysafir në këtë aktivitet të zejtarëve, ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili ka kërkuar nga zejtarët që të jenë sa më aktiv dhe sa më të bashkuar, duke ju rikujtuar se duke qenë aktiv e të bashkuar, zejtarët e Gjakovës dikur kanë arritur të ndërtojnë edhe shumë vepra monumentale, siç janë edhe Ura e Tabakut dhe Ura e Terzinjve.
Me këtë rast, kryetari Gjini u ka dhënë zejtarëve edhe lajmin e mirë, për restaurimin e objektit të zejtarëve, i cili gjendet në Çarshinë e Madhe.
Restaurimi i këtij objekti do të bëhet në kuadër të projektit “A bridge to a smart tourism from Lezha to Gjakova” dhe financohet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të IPA Cross Border.