Komuna e Gjakovës, përkatësisht drejtoria për Buxhet dhe Financa, ka filluar sot takimet përmes platformave online të dëgjimeve buxhetore, me të cilat synohet që bashkë me qytetarët të planifikojnë një shpërndarje sa më të mirë të buxhetit komunal për vitin 2021.
Drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj, gjatë takimit të parë i ka njoftuar pjesëmarrësit me situatën financiare të komunës së Gjakovës, me ç ‘rast përmes tjerash ka njoftuar se buxheti total për vitin 2021 do të jetë rreth 27 milion e 89 mijë euro, apo rreth 160 mijë euro më i vogël se buxheti i vitit 2020. Prej kësaj shume, rreth 9.8 milion do të jenë nga granti i përgjithshëm dhe 3.7 milion nga të hyrat vetanake. Duke pasur parasysh krizën financiare në të cilën ndodhet vendi ynë, drejtori Halilaj ka thënë se megjithatë, zvogëlimi i buxhetit nuk është edhe aq i madh dhe si i tillë nuk do të krijojë shumë problem në funksionimin e komunës së Gjakovës.
Nga ana tjetër, pjesëmarrësit në këtë takim përmes diskutimeve të tyre kanë dhënë propozimet dhe idetë për investime të ndryshme.
Me qëllim që buxheti komunal i vitit 2021 të ketë një trajtim dhe një shpërndarje bazuar në nevojat e qytetarëve, drejtori Halilaj ka apeluar tek qytetarët që të mos hezitojnë të marrin pjesë në këto takime, të cilat do të zhvillohet çdo ditë, deri në fund të javës.