Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës organizuan konferencën regjionale me titull “Mobilizimi i komunitetit lokal për fuqizimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës”.
Kryetarja e Komisionit Qeveritar, Minire Begaj Balaj shpjegoi rolin dhe ndikimin e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës në Kosovë.
Më tutje në këtë konferencë foli edhe Kryetari i Komunës, Ardian Gjini i cili fillimisht falenderoi Komisionin si dhe të gjitha OJQ-të të cilat janë të angazhuara në këtë proces. Ai gjithashtu tha se ky proces nuk ka vetëm qëllim rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale, por ka një efekt rehabilitimi në të gjithë shoqërinë. “Nëse jemi njerëz, atëherë këto raste na prekin të gjithëve. Të gjitha viktimat e dhunës seksuale duhet të marrin guximin për të aplikuar”.
Më tutje kjo konferencë ka vijuar edhe me fjalimin e drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Traumës, Feride Rushti e cila bëri një prezentim të shkurtër të projektit “Rritja e angazhimit për drejtësi tranzicionale në Kosovë përmes dokumentit të dhunës seksuale gjatë luftës”.