Nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Flamur Fetahaj, ka pritur në takim një delegacion të bletarëve nga Prefektura e Bjelovarit, Kroaci, të kryesuar nga Davor Taritaš, së bashku me bashkatdhetarin Martin Gojani.
Takimi u zhvillua me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe njohurive në fushën e bletarisë, si dhe diskutimit të mundësive për bashkëpunim ndërmjet bletarëve të Kosovës dhe Kroacisë.
Nënkryetari Fetahaj i mirëpriti mysafirët në Gjakovë dhe shprehu gatishmërinë e komunës për të mbështetur bashkëpunimin dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
“Jemi të lumtur që jeni në Gjakovë. Dyert e Gjakovës janë të hapura për çdo qytetar të Kroacisë dhe ne jemi të gatshëm për çdo bashkëpunim. Besojmë se lidhjet tona të mira mund të sjellin edhe më shumë mundësi dhe shkëmbim të përvojave në të ardhmen”, tha Fetahaj.
Gjatë takimit u diskutua për praktikat e bletarisë në të dyja vendet, sfidat me të cilat përballen bletarët, si dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe shkëmbim të vazhdueshëm të njohurive në këtë fushë.