Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, ka pritur në takim Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, Drejtorin e IKSHP-së, Naser Ramadani dhe U.D së Drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi si dhe bashkëpunëtorë të tyre.
Kryetari Gjini dhe U.D i Drejtorit të Shëndetësisë në Gjakovë, Ferdinand Kolaj, i informuan ata për menaxhimin e situatës me pandeminë, gjithmonë në koordinim me rekomandimet e Qeverisë së Kosovës dhe ekspertëve shëndetësorë.
Së bashku ata vizituan QKMF-në dhe Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda”, ku u shprehën mirënjohës ndaj profesionistëve shëndetësorë për punën e palodhur në shërbim të qytetarëve. U tha se bashkëpunimi dhe angazhimi në betejën kundër virusit do të vazhdojë edhe më tutje me përkushtim të plotë.
Gjatë vizitës së Ministrit Zemaj, për Komunën e Gjakovës u dha donacion një autoambulancë nga asistenca e BE-së për Kosovën për Covid-19 dhe një oksigjenoformues, si pjesë e mbështetjes nga Luksemburgu dhe UNICEF-i, bashkë me mjete të tjera mbrojtëse.
Në fund Kryetari Gjini dhe Ministri Zemaj, vizituan lagjen “Ali Ibra”, ku i këshilluan banorët që të mbajnë distancën sociale, maskën mbrojtëse dhe higjienën personale.