Nën udhëheqjen e Kryesueses së Kuvendit, Arbënesha Kuqi, është mbajtur mbledhja e tetë me radhë për këtë vit e Komisionit për Politikë dhe Financa.
Fillimisht është shqyrtuar procesverbali i mbledhjes së kaluar.
Më pas, Gani Rama, zyrtar i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka dhënë informatën e tretë financiare Janar – Shtator 2022. Ndër të tjera, ai ka deklaruar se edhe gjatë kësaj periudhe, Komuna e Gjakovës ka pasur rritje të të hyrave vetanake.
Ndërkaq Informatën mbi implementimin e Planit për Investime Publike Janar – Shtator 2022 e dha Drejtori për Shërbime Publike, Shkumbin Kastrati. Ai ka treguar se investimet në infrastrukturë në nivel nacional janë të pakënaqshme për shkak të rritjes së çmimeve por që si nivel komunal po bëjnë çmos për të tejkaluar këtë situatë. Kastrati ka dhënë informatë për projektet e përfunduara por edhe ato që do të nisin shumë shpejtë si projekti i daljes për Pejë, shtrimi i shtresës së dytë të hyrje-daljes për Prizren si dhe sinjalizimit dhe shtrimit të shtresës së dytë të asfaltit në rrugën “Skënderbeu”. Ai ka informuar anëtarët edhe për sanimin e rrugës e cila fillon prej Gjykatës që pritet të fillojë gjatë kësaj jave. Poashtu ai dha edhe informatën mbi implementimin e Planit Lokal për Menaxhimin e Mbeturinave 2021-2025.
Drejtori i KRM “Çabrati”, Behar Ferizi ka dhënë raportin vjetor financiar të ndërmarrjes për vitin fiskal 2021 duke përmendur në këtë mes edhe sukseset e kompanisë si: përfundimi i oborrit riciklues, shtrirja e shërbimit në të gjitha fshatrat, rritja e inkasimit deri në 30% etj.
Ndërkaq, Drejtori i Ndërmarrjes Publike, Mentor Hoxhaj ka dhënë raportin vjetor financiar të kësaj ndërmarrjeje për vitin fiskal 2021. Gjithashtu, ai ka folur për disa nga planet për zhvillimin e qëndrushëm të kësaj kompanie gjë e cila është përshëndetur nga anëtarët e KPF-së të cilët janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim të ndërsjellë me kapacitetet në dispozicion.
Adea Roka, kryesuese e komisionit të aksionarëve të Ngrohtores së Qytetit, ka prezantuar raportin vjetor financiar të ndërmarrjes për vitin fiskal 2021 i cili është përgatitur nga menaxhmenti i kompanisë.
Të gjitha këto pika kanë kaluar për diskutim në mbledhjen e Kuvendit të Komunës. Gjatë mbledhjes, anëtarët e KPF-së parashtruan pyetje por edhe sygjerime për çështjet që u trajtuan.