Anëtarë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi sot zhvilluan mbledhjen e rregullt të cilën e udhëhoqi kryetari i Komunës, Ardian Gjini.
Major Milazim Lumi, komandant i Stacionit Policor në Gjakovë raportoi për gjendjen e sigurisë në komunën tonë të cilën e cilësoi të qetë dhe pa incidente madhore. Duke krahasuar shifrat me vitin 2020, ai tha se në disa fusha ka rritje të rasteve.
Ai gjithashtu raportoi edhe për një rast të kthimit të një qytetareje të nacionalitetit Serb e cila sipas ligjeve në fuqi ka të drejtën e saj për të jetuar këtu dhe se nuk figuron të ketë kryer ndonjë vepër penale. Ai gjithashtu iu tërhoqi vërejtjen disa mediave të cilët kanë spekuluar me shifra të të kthyerve duke raportuar për numër shumë më të madh, mirëpo e vërteta është se vetëm e moshuara 63 vjeçare është kthyer.
Major Lumi u shpreh gjithashtu që janë duke punuar ende për gjetjen e fajtorëve për shkaktimin e djegies së mbeturinave në qendrën transfer.
Në anën tjetër nga ana e drejtorit komunal të Arsimit, Gjevalin Nikollbibaj, u raportua edhe për zhvillimin e mësimit në institucionet arsimore, përmbylljen e vitit shkollor si dhe për rastet e braktisjes së shkollimit në komunën e Gjakovës.
Mbledhja vijoi edhe me diskutime të tjera të projekteve që kanë ngritur cilësinë e jetës në komunitet.