Komuna e Gjakovës – Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore ka organizuar një takim diskutues me temën “Shëndeti mendor dhe qasja në shërbime për të mbijetuarat e dhunës”, me qëllim të trajtimit të rëndësisë së mbështetjes psikologjike dhe qasjes në shërbime për gratë që kanë përjetuar dhunë.
Gjatë tryezës u diskutua për rëndësinë e shëndetit mendor si pjesë thelbësore e procesit të rimëkëmbjes, sfidat me të cilat përballen të mbijetuarat në qasjen ndaj shërbimeve mbështetëse, si dhe nevoja për mekanizma më efikasë dhe më të qasshëm të përkrahjes.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve relevante, me qëllim të garantimit të një mbështetjeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj nevojave të të mbijetuarave të dhunës.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të zbatimit të Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore 2024–2026, me mbështetjen e projektit Gender Equality Facility, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UN Women.