Nën udhëheqjen e Kryesueses së Kuvendit Arbënesha Kuqi, është mbajtur mbledhja e shtatë për këtë vit, e Komitetit për Politikë dhe Financa të Kuvendit të Komunës.
Fillimisht, është shqyrtuar procesverbali i mbledhjes së kaluar, të mbajtur më 15 qershor 2023.
Drejtori për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj, ka prezantuar informatën e dytë financiare të Komunës së Gjakovës për periudhën janar-qershor 2023, duke theksuar mes tjerash faktin që institucioni komunal po vazhdon të ketë rritje të buxhetit. Poashtu, ai ka prezantuar raportin e Auditorit të Përgjithshëm të Komunës së Gjakovës për vitin 2022.
Gjatë kësaj mbledhjeje, është prezantuar edhe Emblema e Re e Komunës së Gjakovës, për të cilën më gjerësisht do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit.
Behar Ferizi Drejtor i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati”, ka prezantuar raportin vjetor të kësaj ndërmarrjeje. Ndërsa, Drejtoresha e Arsimit Eranda Kumnova-Baçi, ka dhënë raport të detajuar mbi përfundimin e vitit shkollor 2022-2023, duke i informuar anëtarët e KPF-së për suksesin e nxënësve të komunës sonë gjatë kësaj periudhe, por edhe për investimet e Komunës së Gjakovës në institucione arsimore.
Të gjitha këto pika, u votuan nga anëtarët e KPF-së, për diskutim të mëtejshëm në mbledhjen e Kuvendit të Komunës.