Është mbajtur sot mbledhja e shtatë për vitin 2021 e Kuvendit të Komunës së Gjakovës. Në bazë të Rendit të Ditës, të propozuar nga kryesuesi Anton Shala, ky takim ka filluar me pikën e zakonshme, pyetje për ekzekutivin, me ç ‘rast kryetari i komunës Ardian Gjini dhe drejtorët komunal janë përgjigjur në të gjitha pyetjet dhe kërkesat e parashtruara nga anëtarët e kuvendit.
Në vazhdim, nga ana e drejtorit të drejtorisë për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj është bërë prezantimi i Informatës së dytë Periodike Financiare për periudhën Janar – Qershor 2021. Sipas drejtorit Halilaj gjatë kësaj periudhe janë alokuar rreth 18 milion Euro ndërsa janë shpenzuar mbi 12 milion Euro apo 67 % e mjeteve të alokuara. Ajo që vlen të përmendet nga ky raport është rritja e të hyrave vetanake, pasi gjatë kësaj periudhe janë shënuar rreth 2 milion Euro të hyra, apo rreth 55% më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Drejtori Halilaj po ashtu ka raportuar edhe për Raportin vjetor të Auditimit për Pasqyrat Financiare të komunës së Gjakovës për vitin 2020. Sipas drejtorit Halilaj, ky raport i nxjerrë nga Auditori Gjeneral i Kosovës është njëri ndër raportet më të mira për komunën e Gjakovës deri me tani, pasi i njëjti për herë të parë ka dalë me opinion të pa modifikuar dhe pa asnjë theksim të çështjeve.
Gjithashtu në këtë takim është miratuar kërkesa e dy klubeve sportive Klubit Futbollistik “Vëllaznimi” dhe Klubit Hendbollistik “Vëllaznimi” në kategorinë e meshkujve, për mbështetje financiare me shumë prej 10 mijë euro për secilin prej klubeve.