Është mbajtur mbledhja e 7-të e Kuvendit të Komunës së Gjakovës. Sipas propozimit nga kryesuesja e Kuvendit Arbënesha Kuqi, janë shqyrtuar dhe miratuar në total 22 pika të rendit të ditës, duke bërë që kjo të kthehet në një mbledhje maratonë por tejet produktive.
Ndër pikat kryesore të këtij takimi ka qenë miratimi me unanimitet të plotë të Emblemës së re të Komunës së Gjakovës, e cila pos votave ka marrë edhe pëlqimin jo vetëm të kuvendarëve por edhe të qytetarëve të komunës sonë.
Në një raport të rregullt të prezantuar nga Milazim Lumi, komandant i Stacionit Policor në Gjakovë, është thënë se gjendja e sigurisë në komunën tonë vazhdon të jetë e qetë dhe stabile, ndërsa po vazhdon angazhimi i policisë së Kosovës që kjo gjendje të vazhdojë sigurte drejtë përmirësimit.
Mes pikave të rendit të ditës janë shqyrtuar dhe miratuar disa këmbime të pronave dhe dhënie të pronave në shfrytëzim, zhvillime këto që gjithashtu kanë kaluar me unianimitet të plotë.
Nga drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj është prezantuar bartja e të hyrave vetanake nga viti paraprak si dhe Informata e dytë Financiare për periudhën janar – qershor 2023. Gjithashtu është diskutuar edhe për raportin vjetor të auditorit të jashtëm.
Anëtarët e Kuvendit e kanë zgjedhur edhe Forumin Komunal për Transparencë, i cili do të përbehet nga 19 anëtarë.
Në fund janë paraqitur edhe dy raporte vjetore, ai për përfundimin e vitit shkollor dhe raporti nga ndërmarrja komunale “Çabrati”.