Është mbajtur mbledhja e gjashtë për këtë vit e Kuvendit të Komunës së Gjakovës. Kjo mbledhje është hapur me një minutë heshtje për të nderuar jetën dhe veprën e Dr. Kujtim Zarari, Drejtor i QKMF-së në Gjakovë, i cili fatkeqwsisht sot humbi betejën kundër COVID-19. Gjithashtu janë shprehur ngushëllime për të gjitha familjet që po humbin më të dashurit e tyre si pasojë e virusit dhe u apelua për kujdes, që të mos kemi më humbje të jetës së njerëzve.
Ndër pikat e rendit të ditës të kësaj mbledhje ishte Raporti i Kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, për situatën ekonomiko-financiare të komunës tonë dhe investimet në periudhën Janar-Qershor 2020. Ai ka deklaruar se pavarësisht vështirësive për shkak të situatës me pandeminë, ai me bashkëpunëtorë po angazhohen maksimalisht që komuna të rikuperohet sa i përket të hyrave buxhetore. Kryetari Gjini ka treguar se nuk ka pasur ngecje të projekteve, duke përmendur këtu përfundimin e 14 rrugëve, vazhdimin intensiv të punimeve për projektin në Çarshinë e Vjetër, rrugën “Bardhyl Çaushi”, “Bujar Roka”, fazën e tretë të Krenës, daljen për Prizren, projektet e mëdha si “Ngrohtorja e Qytetit”, Objekti i Ri i Komunës, Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza dhe shumë të tjera. Ai ka informuar Kuvendin dhe banorët e komunës edhe për ecurinë e punimeve për pastrimin e Qendrës Transfer, duke thënë se brenda 6 ditësh nga operatori janë larguar 1504 tonë mbeturina. Kryetari i Komunës ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve që të kenë durim sepse sasia e mbeturinave është e madhe dhe duhet kohë për eliminimin e tërësishëm të kësaj problematike, duke theksuar se po punohet vazhdimisht në këtë drejtim.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj, ka dhënë informatën financiare për periudhën Janar-Qershor 2020. Ai ka raportuar se për shkak të pandemisë është i pevitueshëm fakti që të hyrat vetanake në krahasim me vitin e kaluar kanë pësuar rënie, mirëpo është arritur 72% e planifikimit buxhetor, duke shpresuar që shpejtë t’i kthehemi normalitetit dhe të vazhdohet ritmi i rritjes së të hyrave siç ka ndodhur në dy vitet paraprake.
Gjatë kësaj mbledhje është miratuar deklarata për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, propozimi për miratimin e emrave të anëtarëve të Komitetit Konsultativ për personat me nevoja të veçanta dhe kërkesa për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Taksa, Tarifa dhe Ngarkesa Komunale.