Komiteti për Komunitete ka mbajtur mbledhjen e rregullt mujore, në të cilat janë trajtuar disa pika me interes për qytetarët e komunës së Gjakovës, si ambienti, posaçërisht gjendja në deponinë e mbeturinave në lagjen “Ali Ibra”, mandej shëndetësia, punësimi, e të tjera.
Në informatën rreth shërbimeve shëndetësore për pjesëtarët e komunitetit joshumicë si dhe për vaksinimin e fëmijëve, dr. Burim Gojani, shef i vaksinimit në QKMF, fillimisht ka pohuar se vaksinimi i fëmijëve nuk bëhet me statistika për komunitete të ndryshme, porse qenësore është që në vaksinim të përfshihen të gjithë sipas moshave të përcaktuara. Andaj, ka bërë apel dr. Burim Gojani, apelojmë tek përfaqësuesit dhe aktivistët e lagjeve dhe të fshatrave që të punojnë sa më shumë në identifikimin e fëmijëve, sidomos prej zero deri në dy vjeç, që më pas të kryhet vaksinimi i tyre pasi ka raste kur nuk evidentohen, apo identifikohen, dhe mbesin të pavaksinuar. Siç tregoi dr. Burim Gojani, kjo qendër disponon edhe me mundësi që vaksinimi të kryhet edhe jashtë qendrës. Njëkohësisht, nga i njëjti është thënë se zakonisht vaksinohen rreth nëntëdhjetë përqind të të përfshirëve në planifikim, e për këtë vit ka bërë të ditur se se planifikimi për vaksinim për mosha të ndryshme është: 0-11 muaj, 1174 fëmijë, 12-24 muaj, 1318 sish, 6-7 vjet, 1322, 13 vjet 1385 dhe 18 vjet numri është 1950. Në periudhën janar-qershor të vaksinuar janë: 0-11 muaj, doza e parë HIB, 656 veta,doza e dytë HIB, 691 veta dhe doza e tretë HIB ka arritur në numër prej 671 vetave. Për fëmijët 12-24 muaj, statistikat tregojnë se janë vaksinuar 680 veta, 6-7 vjet janë 1104 veta, të moshës 13 vjet janë vaksinuar 1322 veta dhe të moshës 18 vjet janë vaksinuar 1422 veta.