Kuvendi Komunal i Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e gjashtë me radhë për këtë vit, ku pas miratimit të pikave të propozuara nga kryesuesi Anton Shala, është vijuar me trajtimin e tyre.
Fillimisht është shqyrtuar dhe miratuar propozim-vendimi i kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, për themelimin e Ndërmarrjes Publike “Arkitekti i Qytetit”, dhe me këtë ndërmarrje tani komuna e Gjakovës do të ketë katër sish.
Në vazhdim të mbledhjes, nga Luan Dinaj, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim është dhënë raporti i punës për vitin 2018, me ç’rast ka thënë se përpos punës konform kompetencave preventive dhe ndërhyrjeve në raste emergjente, janë mbajtur edhe ushtrime dhe trajnime të ndryshme profesionale ndërkombëtare, si dhe ka pasur donacione dhe vizita zyrtare. Vlen të theksohet se në vitin e shkuar si pasojë e fatkeqësive natyrore ka pasur dëme material në të dy sektorët në shumë prej 250,036 euro. Dëmet në sektorin privat kanë qenë në shumë prej 207,800 euro ndërsa në atë publik 42,236 euro.
Nga këshilltarët komunal është miratuar edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit Komunal, ku nga kryesuesi Anton Shala është thënë se ka ndryshime substanciale.
Për shkak të ndryshimeve ligjore, sot këshilltarët komunal kanë shfuqizuar disa vendime të mëparshme si dhe kanë marrrur vendim për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër për pronat e paluajtshme (dyqanet), mandej themelimin e Komisionit Vlerësues për Dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, si dhe vendimin për themelimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave në Procedurën e Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale.
Ndërkohë, nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini është dhënë informata mbi kolektorin e ujërave të zeza, duke thënë se brenga e shfaqur për gjerësine e gypave nuk qëndron, pasi është vlerësuar nga ekspertët më të lartë të fushës, ndërkohë që ka thënë se sa më parë duhet nisur ndarja e ujërave fekale nga ato atmosferike, sepse krijon problem shumë të theksuara dhe se një ndarje e tillë është e domosdoshme.
Përsa i përket punimeve në parkun e qytetit, kryetari Ardian Gjini ka pohuar se punimet në këtë park unik do të kryhen deri me datë 21 shtator, dhe se i tërë projekti kap shumën prej 330 mijë euro.
Nga kryetari Ardian Gjini është kërkuar që të bëhet shpronësimi i objektit të ish “Bankosit”, i një parcele në lagjen Dardania si dhe në Rezinë, dhe të njëjtat për qëllime strategjike nga AKP-ja ti kalojnë në pronësi Komunës.