Kuvendi Komunal i Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e katërt të rregullt për këtë vit, ku pas dhënies së betimit të dy këshilltarëve të rijnë të Kuvendit Komunal, Rrok Luli (PDK) dhe Xhavit Alija (AAK), të cilët janë certifikuar nga KQZ-ja, më pas është vazhduar me pikat e rendit të ditës të propozuara nga kryesuesi Anton Shala.
Fillimisht, nga këshilltarët komunal është miratuar propozim-vendimi i kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, për riemërimin e rrugëve “Adriatik-Alpe” dhe “7 Korriku 1998” me emrin e kongresmenit amerikan Eliot Engel, për kontributin e të cilit dhënë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë në këto tridhjetë vitet e fundit është shprehur dhe kreu komunal, duke bërë njiherit të ditur se kjo kërkesë tashmë është miratuar edhe në Bashkinë e Tropojës.
Miratim ka gjetur edhe propozim-vendimi për këmbimin e pronës komunale, në afërsi të Cërmjanit, ku nga një donator do të ndërtohen pesë shtëpi për pesë familje, mandej propozim-vendimi për shpalljen e interesit publik për vazhdimin e rrugës tek banesat sociale, si dhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit publik për vazhdimin e segmentit të rrugës “Muharrem Domi”.
Durim Halilaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ka dhënë informatën e parë financiare për periudhën janar-mars 2019. Nga kjo informatë është bërë e ditur se buxheti i përgjithshëm periodik për këtë periudhë vjetore është 25.093.172,93 euro. Ndërkaq, në tre muajt e parë të këtij viti janë alokuar mjete në shumë prej 7.106.329,84 euro, ndërkohë që shpenzimet kanë qenë në shumë prej 4.836.545,43 euro. Në tremujorin e parë të vitit në vijim të hyrat vetanake të grumbulluara kanë arrirë në shumë prej 674.095, 13 euro, apo llogaritur në përqindje është arrirë në shkallë prej 85.76 për qind nga shuma e planifikimit periodik në vlerë prej 786.061,49 euro.
Këshilltarët komunal kanë miratuar edhe subvencionimin e klubit të futbollit Vëllaznimi me dyzet mijë euro, Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” me njëzet e gjashtë mijë euro, si dhe Ansamblin Muzikor të Qytetit me katër mijë euro.
Në këtë seancë, Shkumbin Kastrati, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike ka raportuar për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik, e cila veprimtari është në kontinuitet, si dhe për menaxhimin e mbeturinave në komunën e Gjakovës, ku gjendja paraqitet dukshëm më e mirë, por që ka sfida të përhershme, ku ndër to është edhe problemi i trashëguar i qendrës transferuese të mbeturinave për të cilën Komuna është në proces të gjetjes së zgjidhjes.