Kuvendi i Komunës së Gjakovës sot ka mbajtur mbledhjen e dytë për këtë vit. Ndonëse ishte e paraparë që nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini, të ipej informata e kryetarit të Komunës së Gjakovës për planin e punës së ekzekutivit për vitin 2019, me kërkesë të vet kryetarit për arsye objektive kjo pikë është shtyrë për mbledhjen tjetër.
Ndërkaq, shqyrtimi i propozim-vendimit për ndryshimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Gjakovës, 01 nr.011-78936/2015, të datës 27.10.2015, për shpallje të interesit publik të monumentit kulturor dhe historik “Kulla e Sylejman Vokshit”, ka nxitur debatet më të mëdha në këtë seancë, ku paraprakisht nga opozita u kërkua që të hiqej si pikë e rendit të ditës, por pas votimit mbeti për shqyrtim në këtë seancë ku dhe u miratua. Gjatë debatit të mbajtur, kryetari Ardian Gjini ka bërë të ditur se komuna nuk disponon mjete në shumë deri në një milion euro të cilat nuk kanë qenë të buxhetuara për vitin 2018, dhe konform faktit se nuk ka shkelje ligjore dhe se kulla do të mbetet e tillë, e paprekshme dhe se do të jetë e konservuar që do ti shërbejë trashëgimisë sonë kulturore historike.
Nga anëtarët e Kuvendit Komunal është votuar edhe propozim-vendimi për këmbim të pronës komunale në ngastrën kadastrale me numër 1190-0 ZK, Gjakovë, e cila është në bashkëpronësi me pjesë ideale të Komunës së Gjakovës dhe personit juridik N.P. H.A.B.-Inxhiniering. Këmbimi i pronës komunale në sipërfaqe prej 225, 5 metra katrorë bëhet me qëllim që në vlerë të kësaj prone Komuna të merr në pronësi banesën sipas vlerës së këmbimit për metër katrorë, e cila do të dedikohet për banim social.
Mbështetje për miratim ka gjetur edhe kërkesa e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit për shfuqizimin e planit rregullues urban “Sadik Stavileci”-“UÇK”, ndërkohë që nisma e procedurave për binjakëzimin e Komunës së Gjakovës më Bashkinë e Sarandës është votuar unanimisht.
Miratimi ka gjetur edhe Draft-Rregullorja për themelimin dhe strukturimin e asamblesë komunale për fëmijë, e cila më së shumti është sponsorizuar nga organizata “Save The Children”, e cila asamble do të jetë funksionale për fëmijë të moshave dymbëdhjetë deri në katërmbëdhjetë vjeç.
Në seancën e sotme është dhënë edhe raporti i punës i Ndërmarrjes Komunale Publike “Stacioni i Autobusëve” për vitin fiskal 2018, ku është specifikuar se planifikimi i të hyrave për periudhën janar-dhjetor të këtij viti ka qenë në shumë prej 196, 831 euro, ndërkohë që janë realizuar të hyra në shumë prej 200, 034 euro, apo në tërësi si realizim rezulton të jetë 101.63 për qind. Duke llogaritur edhe shpenzimet e bëra në shumë prej mbi 195 mijë euro, konstatohet se kjo ndërmarrje në vitin 2018 ka përfituar mjete në vlerë prej 4,534 euro.