Komiteti për Politikë dhe Financa i Kuvendit të Komunës së Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e katërt për këtë vit, ku pas miratimit të pikave të rendit të ditës së propozuar nga kryesuesi Anton Shala, të njëjtat janë diskutuar dhe miratuar për shqyrtim në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal.
Durim Halilaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka dhënë informatën e parë financiare për periudhën janar-mars 2019. Nga kjo informatë është bërë e ditur se buxheti i përgjithshëm periodik për këtë periudhë vjetore është 25.093.172,93 euro. Ndërkaq, në tre muajt e parë të këtij viti janë alokuar mjete në shumë prej 7.106.329,84 euro, ndërkohë që shpenzimet kanë qenë në shumë prej 4.836.545,43 euro. Në tremujorin e parë të vitit në vijim të hyrat vetanake të grumbulluara kanë arritur në shumë prej 674.095, 13 euro, apo llogaritur në përqindje është arritur në shkallë prej 85.76 për qind nga shuma e planifikimit periodik në vlerë prej 786.061,49 euro.
Nga anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa janë shqyrtuar edhe tri propozim-vendime për ndarje të subvencioneve, ku nga këto subvencione dyzet mijë euro do të përfitojë klubi i futbollit Vëllaznimi, njëzet e gjashtë mijë euro Teatri i Qytetit “Hadi Shehu”, si dhe katër mijë euro Ansambli Muzikor i Komunës së Gjakovës.
Ndërkaq, Shkumbin Kastrati, drejtor i Drejtorisë për Shërbime publike ka raportuar për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik, e cila veprimtari është në kontinuitet, si dhe për menaxhimin e mbeturinave në komunën e Gjakovës, ku gjendja paraqitet dukshëm më e mirë, por që ka sfida të përhershme, ku ndër to është edhe problemi i trashëguar i qendrës transferuese të mbeturinave për të cilën komuna është në proces të gjetjes së zgjidhjes.