Është mbajtur sot mbledhja e bordit të drejtorëve të komunës së Gjakovës, në të cilën janë diskutuar një sërë pikash me rëndësi për qytetarët e komunës sonë.
Fillimisht nga ana e drejtorit të drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Luan Dinaj është raportuar për gjendjen e krijuar në disa pika kritike në lumenjtë “Krena” dhe “Ereniku” si dhe rrëshqitjen e tokës në disa lokacione të caktuara. Nga ana e drejtorit është njoftuar se gjendja është stabile dhe ekipet e drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim po ndërhyjnë në të gjitha rastet kur paraqitet nevoja.
Krahas diskutimeve tjera, rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe obligimeve financiare të komunës ndaj operatorëve ekonomikë. Lidhur me këtë, kryetari Ardian Gjini ka kërkuar nga drejtorët që të raportojnë tek ai për të gjitha obligimet e secilës drejtori, në mënyrë që të përpilohet një listë e të gjitha obligimeve të komunës dhe të përcaktohet prioritetet e kryerjes së këtyre obligimeve, në mënyrë që operatorët ekonomikë të mos i dërgojnë lëndët tek përmbaruesit dhe të rrezikojnë planifikimin buxhetor.
Në fund të këtij takimi, kryetari Gjini i ka njoftuar drejtorët për fillimin e procedurave tenderuese për nisjen e qarkores së qytetit, ndërsa ka shtuar se pas përmirësimit të motit, komuna e Gjakovës në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës do të fillojë realizimin e shumë projekteve tjera infrastrukturore, për të cilat qytetarët do të njoftohen me kohë.