Kuvendi Komunal i Gjakovës sot ka mbajtur mbledhjen e pestë të rregullt me radhë për këtë vit. Pas miratimit të pikave të rendit të ditës të propozuara nga kryesuesi Anton Shala, menjëherë është hedhur në votim nisma për bashkëpunimin ndër komunal me komunën Fort Dodge të IOWA-së së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka gjetur mbështetjen unanime të kuvendarëve.
Më tej, Shkumbin Kastrati, drejtor i drejtorisë së Shërbimeve Publike ka dhënë informatën mbi menaxhimin e situatave në mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve gjatë sezonit dimëror, i cili në përgjithësi ka thënë se situata gjatë periudhës së dimrit ka qenë e mirë.
Gjithashtu, po nga drejtori Shkumbin Kastrati është dhënë edhe informata mbi menaxhimin e mbeturinave, duke pohuar se ka shenja të përmirësimit të situatës.
Në këtë pikë ka folur edhe kryetari Ardian Gjini, i cili ka paralajmëruar se do të ketë rigorozitet në gjobitje, por edhe angazhim në gjetjen e mënyrës adekuate për inkasimin e mjeteve nga qytetarët të cilëve u ofrohen shërbime.
Sa i përket ndriçimit publik, si pikë tjetër e rendit të ditës, drejtori Shkumbin Kastrati ka thënë se ka fokusim në tërë rajonin e komunës për qasje në ndriçim publik, por vështirësitë e shumta materiale po sjellin telashe të vazhdueshme.
Kurse, Durim Halilaj, drejtor i drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka dhënë informatën e parë periodike financiare për vitin fiskal 2018, ku është theksuar se buxheti i nxjerrë nga kuvendi komunal dhe i aprovuar në shumë prej 23.266.602,53 euro, ka pësuar ndryshime gjatë periudhës janar-mars 2018 për të hyrat nga donacionet dhe participimet në vlerë prej 115.395,42 euro dhe se buxheti i përgjithshëm periodik gjatë kësaj periudhe është 23.381.997,95 euro.