Eshtë mbajtur mbledhja e parë e Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve, i rikonstruktuar së fundmi në Komunën e Gjakovës, nën kryesimin e Kryetarit të Komunës, Ardian Gjini.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, si dhe roli i shkollave, familjes dhe institucioneve relevante në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për fëmijët. Vëmendje e veçantë iu kushtua parandalimit të braktisjes së shkollimit dhe forcimit të mekanizmave institucionalë për identifikimin dhe trajtimin e rasteve që cenojnë mirëqenien e fëmijëve.
Pjesëmarrësit vlerësuan se rikonstruimi i ekipit do të ndikojë në rritjen e efektivitetit, koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, duke vendosur në qendër interesin më të mirë të fëmijëve.
Me këtë rast, Kryetari Ardian Gjini theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët institucional dhe shoqëror në mbrojtjen e fëmijëve, duke deklaruar se: “Duhet të përpiqemi ta zvogëlojmë indiferencën e shoqërisë ndaj rasteve të dhunës, sepse eliminimi i plotë është një proces i vështirë, por me angazhim të përbashkët mund të arrijmë rezultate në të mirë të fëmijëve.”
Ekipi për të Drejtat e Fëmijëve do të vazhdojë punën në mënyrë periodike, me qëllim identifikimin e vazhdueshëm të sfidave dhe rasteve që kërkojnë ndërhyrje, si dhe gjetjen e formave të përbashkëta për parandalimin e dukurive negative dhe përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve në Komunën e Gjakovës.