Është mbajtur sot mbledhja e nëntë e Komitetit Për Politikë e Financa në komunën e Gjakovës. Sipas propozimit të kryesuesit Anton Shala në këtë takim janë diskutuar dhe kanë kaluar për diskutim të mëtejmë ne mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal, disa pika të rendit të ditës, e të cilat kryesisht ishin raportime nga sektorë të ndryshëm të qeverisjes lokale.
Fillimisht nga ana e udhëheqësit të zyrës së prokurimit, Faton Gutaj, është dhënë raporti i punës për vitin 2020, me theks të veçantë tek kontratat kornizë që janë realizuar gjatë këtij viti.
Më tej, drejtori i drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Haxhi Sejdijaj, e ka dhënë një informatë për përgjithshme për zhvillimet në sektorin që ai mbulon, ndërsa udhëheqësja e sektorit të Shëndetësisë në drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Dafina Kazazi – Olloni ka prezantuar Planin e Zhvillimit Institucional të Kujdesit Parësor Shëndetësor në Gjakovë për periudhën 2021 – 2024.
Në fund të këtij takimi, është diskutuar dhe ka kaluar për miratim në Kuvend edhe Plani i Punës së Kuvendit Komunal për vitin 2021.