Është mbajtur mbledhja e 7-të e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, e udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit, Shefqet Shehu, me pjesëmarrjen e nënkryetarit të komunës, Flamur Fetahaj, dhe drejtorëve komunalë.
Mbledhja nisi me pyetjet e anëtarëve të Kuvendit drejtuar ekzekutivit, ndërsa më pas u shqyrtua Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2025, i prezantuar nga drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj.
Në vazhdim, drejtori Halilaj prezantoi informatën e dytë financiare për periudhën janar–qershor 2026, ndërsa nënkryetari Flamur Fetahaj paraqiti propozim-vendimin për mbështetje financiare të KF “Vëllaznimi”, i cili u miratua me shumicë votash.
Kuvendi shqyrtoi gjithashtu raportin vjetor të N.P.L. KRM “Çabrati” për vitin 2024 dhe miratoi propozim-vendimin e kësaj ndërmarrjeje për rritjen e tarifave të grumbullimit të mbeturinave.
Në rend dite ishte edhe informata mbi përfundimin e vitit shkollor 2025–2026 në komunën e Gjakovës, e prezantuar nga drejtori i Drejtorisë për Arsim, Hysen Brahimaj, si dhe raporti i punës së Drejtorisë për Inspektime, i paraqitur nga drejtori Ervin Shabanaj.