Kuvendi i Komunës së Gjakovës, i kryesuar nga kryesuesi Anton Shala, ka mbajtur sot mbledhjen e tretë për vitin 2019.
Para diskutimit të pikave të rendit të ditës, me propozim të kryetarit të komunës Ardian Gjini, me shumicë votash është miratuar iniciativa ndër komunale në mes të komunës së Gjakovës dhe komunës së Rahovecit, për aplikimin e përbashkët në fondet e qeverisë së Kosovës për ndërtimin e pendës mbi lumen “Drini”, respektivisht tek “Ura e Fshejtë”, aty ku edhe gjendet kufiri i këtyre dy komunave.
Më tej, kryetari Gjini ka prezantuar para anëtarëve të Kuvendit Komunal Planin e tij të punës për vitin 2019, me ç ‘rast ka shpalosur të gjitha projektet që pritet të realizohen gjatë kësaj periudhe.
Kryetari Gjini ka përmendur projektet e mëdha infrastrukturore të nisura tashmë së realizuari, ndërsa ka shtuar se krahas angazhimin në infrastrukturë dhe projekteve tjera, siç janë vazhdimi i rregullimit të shtratit të lumit “Krena”, ujësjellësi në fshatrat e Rekës së Keqe e të tjera, synime tjera për vitin 2019 mbeten edhe zvogëlimi i borxhit komunal, rritja e të hyrave dhe angazhimi për zhvillim të qëndrueshëm të biznesit.
Informatë para vjetore para anëtarëve të Kuvendit ka pasur edhe drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj, i cili e ka prezantuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2018 si dhe udhëheqësi i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore Kushtrim Brahimaj, i cili ka raportuar për zhvillimin e procedurave rekrutuese për vitin 2018.
Kuvendi Komunal në këtë takim e ka formuar edhe Komisionin për Plotësim Ndryshimin e Rregullores së Punës së Kuvendit, ndërsa që është diskutuar edhe për situatën e krijuar së fundmi në stacionin transfer në lagjen “Ali Ibra”. Për këtë të fundit, kryetari Ardian Gjini ka thënë se me vendim të tij, ky stacion është mbyllur një herë e përgjithmonë, ndërsa po me kërkesë të tij e tërë lënda e zhvillimeve të deritashme ka kaluar në Prokurori për hetime të mëtutjeshme.