Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale sot ka mbajtur debatin me qytetarë të komunës së Gjakovës.
Kryetari Gjini ka kërkuar nga qytetarët që në këtë takim të shprehin kërkesat, vërejtjet, sugjerimet lidhur me punën e ekzekutvit për pjesën e parë të vitit kalendarik 2019. Kërkesat e paraqitura kryesisht kanë pasur të bëjnë me infrastrukturë, si rrugë, ujë të pijshëm, kanalizim, rregullim dhe mirëmbajtje të ambientit, e të tjera. Për këto kërkesa, kryetari Ardian Gjini ka thënë se ky mandat i tij prej kryetari nuk do të përmbyllet pa rregullimin e të gjitha rrugëve në çdo cep të komunës, ndërkohë që për ujë të pijshëm në rajonin e Rekës së Keqe ka bërë të ditur se në tetor të këtij viti do të rregullohet kjo çështje edhe për tridhjetë e dy fshatra të kësaj ane, e përsa i përket kanalizimeve ka thënë se në to do të punohet me prioritet. Shqetësim në këtë takim është shprehur edhe për qentë endacakë ku nga kryetari Ardian Gjini, njëjtë është shprehur si brengë e tij porse kompetencat kanë kaluar tërësisht në qeverinë qendrore.
Në përmbyllje të takimit me qytetarë, kryetari Ardian Gjini duke shprehur mirënjohjen e tij për kohën e deritanishme në bashkëpunim reciprok të shprehur, njiherit ka ribërë thirrje për gjithë qytetarët, posaçërisht për përfaqësuesit e tyre në Këshillat Lokale, që bashkarisht të jenë sa më bashkëpunues dhe bashkëveprues sepse kjo e tëra është në dobi të vet qytetarëve.