Në ditën e shënimit të Epopesë së Çabratit sot janë përkujtuar të gjithë dëshmorët dhe martirët e rënë me datën 07 maj të vitit 1999. Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini së bashku me bashkëpunëtorë dhe luftëtarë të brigadës “137 Gjakova” sot kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule pranë varrezave të dëshmorë ve dhe martirëve në kodrën e Çabratit.
“Është një ndër ditët më të lavdishme të popullit të kësaj ane, gjithë Kosovës. Një ditë e cila për një moment ka qenë shumë e dhimbshme dhe e mundimshme, por sot na është kthyer në krenari. Ka ardhur koha që të iu themi gjithë qytetarëve që të ndjehen krenar për djemtë dhe vajzat të cilët kanë dhënë jetën e tyre për lirinë e vendit. Kështu që kokën lartë dhe nderim për të gjithë! “– kështu tha kryetari Gjini i cili këtë ditë e kujton me shumë krenari.
“Këtë beteje në të cilën ne kemi hyrë nga zonat e Dukagjinit, kemi arritur të depërtojmë në zemër të qytetit në mesin e një lufte të pabarabartë sepse beteja e 7 majit është beteja e vetme e zhvilluar brenda qytetit. Lavdi dhe nderim për të gjithë dëshmorët dhe martirët si dhe për të gjithë familjarët e tyre”- u shpreh Agron Kryeziu-Komandat i brigadës “137 Gjakova”.