Katër studente dhe dy mentore të tyre nga qyteti Fort Dodge, Iowa në SHBA, po qëndrojnë këto ditë në Gjakovë, në kuadër të shkëmbimit të përvojave që komuna e Gjakovës po i bën me qytetin amerikan.
Mysafiret amerikane janë pritur nga kryetari i komunës Ardian Gjini, i cili duke ju dëshiruar mirëseardhje i ka njoftuar ato me zhvillimet e përgjithshme në komunën e Gjakovës.
Studentet amerikane do të qëndrojnë për katër ditë në Gjakovë dhe planifikohet të njihen nga afër me traditat, kulturën por edhe sistemin arsimor e aktivitetin ekonomik të Gjakovës.
Sot mysafiret e kanë vizituar organizatën “Bone Vet” dhe Muzeun Etnografik, ndërsa nuk do të mungojnë as vizita tjera përgjatë ditëve në vazhdim.