Kryetari i Komunës Ardian Gjini, Kryesuesja e Kuvendit Arbënesha Kuqi dhe Drejtori për Zhvillim Ekonomik Ferdinand Kolaj, kanë qëndruar për vizitë pune në qytetin gjerman të Göppingenit.
“Jemi tejet falenderues me mikpritjen dhe respektin që kemi hasur në qytetin gjerman të Göppingenit, qytet ky me të cilin komuna e Gjakovës tashmë ka filluar bashkëpunim tejet të mirë e të cilin shumë shpejtë po presim ta konkretizojmë me aktivitete të përbashkëta. Patëm rastin të përcjellim nga afër paradën e paqes, ku mes shumë pjesëmarrësve të tjerë defiluan edhe shqiptarët për të prezentuar veshjen tradicionale. Maientag është një festim tradicional në të cilin marrin pjesë të gjitha komunitetet që jetojnë në Göppingen. Nën shoqërinë e kryetarit të Göppingenit Alex Maier, jemi njoftuar nga afër me kapacitetet dhe mundësitë ekonomike e teknologjike që ofron ky qytet i rëndësishëm gjerman, por edhe me traditën, kulturën dhe jetën në përgjithësi. Bashkëpunimi me qytete të tilla, është edhe motiv për ne, për një Gjakovë edhe më të mirë në të ardhmen” është shprehur kryetari Gjini lidhur me këtë vizitë.