Kryetari i Komunës, Ardian Gjini e ka mbajtur sot Debatin e parë me qytetarë për vitin 2021, në të cilin, bashkë edhe me drejtorët komunal, kanë njoftuar për të arriturat gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti si dhe kanë shpalosur planet për gjashtë muajt e dytë deri në përfundim të vitit.
Në fjalën e tij, Kryetari Gjini ka thënë se përkundër problemeve të përgjithshme të shkaktuara si pasojë e Pandemisë Covid 19, gjashtë muajt e parë të vitit 2021 mund të cilësohen si të suksesshme për komunën e Gjakovës. Kjo, për faktin se gjatë kësaj periudhe është arritur që të përfundohen shumica e punëve publike të planifikuara por ajo që është edhe më e mirë është se gjatë kësaj periudhe ka pasur rritje të të hyrave komunale, gjë e cila do të përkthehet me rritje të buxhetit dhe rritje të investimeve në periudhat e ardhshme.
Kryetari Gjini ka rikujtuar se komuna e ka një plan të detajuar të investimeve, të ndërtuar mbi prioritetet dhe të bazuar në gjendjen në teren dhe nevojat më emergjente të qytetarëve. Në këtë drejtim, ai ka përmendur angazhimet konkrete në kryerjen e infrastrukturës rrugore, me qëllimin e vetëm që brenda vitit 2022 të mos mbetet asnjë rrugë e pa asfaltuar në tërë komunën e Gjakovës. Ai ka përmendur edhe projektet e ujësjellësit, tashmë pothuajse të përfunduara në tërë komunën, pastaj ndërtimin e sistemit të ngrohjes qendrore pothuajse në të gjitha shkollat e komunës, ndërtimin e disa çerdheve për fëmijë e të tjera.
Më tej, Kryetari Gjini dhe drejtorët komunal kanë pranuar pyetje dhe kërkesa nga qytetarët e mbledhur dhe u janë përgjigjur atyre një për një.