Fëmijët e institucionit parashkollor “Shtëpia e Paqes” ne fshatin Bec, këtë dimër do ta kenë një ambient më të ngrohtë gjatë qëndrimit të tyre ditor. Kjo falë një donacioni nga Regjimenti i Karabinierëve Italian, të cilët kanë investuar në rregullimin e sistemit të ngrohjes, përfshirë rregullimin e kaldajës dhe ndërrimin e radiatorëve, tubave dhe pjesëve tjera përbërëse të këtij sistemi, me një vlerë të investimit prej rreth 4 mijë euro.
Inaugurimi i këtij investimi është bërë sot, në një ceremoni në të cilën morën pjesë edhe komandanti i Regjimentit të Karabinierëve Italian në Kosovë, kolonel Roggerio Capodivento, zyrtarë komunal, nxënësit, prindërit dhe shumë banorë të këtij lokaliteti.
Sipas përfaqësuesve të Regjimentit të Karabinierëve, ky investim është bërë me qëllim të konsolidimit dhe ringjalljes së frymës së vëllazërimit në mes të forcave të KFOR-it dhe NATO-s me popullin e Kosovës si dhe për të garantuar mbështetje të vazhdueshme që trupa paqeruajtëse ofron për njerëzit e Kosovës, në veçanti për gjeneratat e reja, të cilat janë e ardhmja e këtij vendi.
Ndryshe, ‘Shtëpia e Paqes” është një institucion arsimor, që menaxhohet nga rendi i murgeshave Basiliane, ndërsa në vazhdimësi ka pasur përkrahje nga kontingjentet e ndryshme të KFOR-it, në veçanti të ushtrisë Italiane, si njëra prej ushtrive mike të këtij institucioni.
Në shenjë falënderimi, fëmijët e “Shtëpisë së Paqes” sot kishin përgatitur edhe një program artistik, të cilën e prezantuan para miqve nga Italia.