Eshtë mbajtur mbledhja e dytë për vitin 2026 e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) në Komunën e Gjakovës, e udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Shefqet Shehu.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e KPF-së shqyrtuan dhe i rekomanduan për diskutim në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal disa pika të rendit të ditës. Fillimisht u diskutua Informata e katërt periodike financiare për vitin fiskal 2025, si dhe propozimi për bartjen e të hyrave vetanake të pashpenzuara nga viti fiskal 2025 në vitin fiskal 2026.
Këto pika u prezantuan nga drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj, i cili ofroi sqarime lidhur me aspektet financiare dhe rëndësinë e tyre për funksionimin e komunës.
Po ashtu, anëtarët e KPF-së rekomanduan për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin Komunal tri kërkesa për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, si dhe raportin mbi gjendjen e mjedisit në Komunën e Gjakovës.