Ka nisur procesi i zgjedhjeve për Këshillat Lokal në territorin e komunës së Gjakovës.
Me propozim nga vetë pjesëmarrësit përmes votimit të hapur, në regjionin e Hasit – Demjan, Kryetar i ri i Këshillit Lokal u zgjodh Ali Cena si dhe u përzgjodhën nëntë anëtarët e Këshillit.
Njëjtë edhe në Lipovec, me propozim nga banorët e kësaj ane me votim unanim, Kryetar i ri u zgjodh Arben Berisha dhe bashkë me të u votuan nëntë anëtarë të Këshillit Lokal.
Një befasi e këndshme u shënua në fshatin Rogovë, pasi banorët lokal vendosën që udhëheqjen e këshillit t’ia besojnë një përfaqësuese grua.
Me unanimitet të plotë rogovasin e zgjodhën Filloreta Hotin si kryetare të Këshillit Lokal, e cila në 4 vitet e ardhshme do të përkrahet edhe nga Këshilli prej 9 anëtarësh.
Zgjedhja e Filloretës është një shenjë e mirë e po ashtu edhe një motiv edhe për Këshillat tjerë Lokal që të mos hezitojnë por të përfshijnë në procese zgjedhore edhe kandidate vajza e gra.
Zgjedhjet për kryetar të Këshillit Lokal dhe për Këshillin prej 9 anëtarësh u mbajten edhe në Këshillin Lokal të Bishtazhinit. Edhe këtu, me unanimitet të plotë dhe me pjesmarrje masive, kryetar për 4 vitet e ardhshme u zgjodh Augustin Topalli.
Ndërsa, procesi zgjedhor i paraparë të mbahet në Këshillin Lokal ne Dol është anuluar në mungesë të kushteve të përshtatshme.
Procesi në këtë Këshill Lokal do të mbahet në një datë tjetër që do të caktohet nga Komisioni per organizimin e zgjedhjeve të Këshillave Lokal.
Lulzim Goçi në Këshillin Lokal të Molliqit dhe Halil Ahmeti në atë të Ponoshecit, janë dy kryetarët e zgjedhur sot, në kuadër të zgjedhjeve për Këshillat Lokal, që këto ditë po organizohen nga Komuna e Gjakovës.
Përderisa Goçi është një i ri aktivist që për herë të parë do të sprovohet në këtë detyrë, Ahmeti ka qenë në këtë pozitë edhe në mandatin e kaluar teksa tashmë e ka marrë besimin edhe për një mandat të ri.