Komuna e Gjakovës ka mirëpritur një delegacion të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Vlorës në kuadër të projektit “Bashki të Forta”, i cili synon shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e praktikave të mira për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes në nivel vendor.
Mysafirët nga Vlora fillimisht u pritën nga nënkryetari i Komunës, Flamur Fetahaj, me të cilin zhvilluan biseda vëllazërore dhe shkëmbyen përvoja lidhur me funksionimin e institucioneve lokale. Më pas, delegacioni mori pjesë në një takim të përbashkët me anëtarët e Kuvendit të Komunës së Gjakovës dhe kryesuesin Shefqet Shehu.
Takimi shërbeu si një hapësirë e rëndësishme për diskutim mbi funksionimin e legjislativeve lokale, konsultimet publike, pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe mbikëqyrjen e ekzekutivit, duke krijuar bazë për shkëmbimin e modeleve të suksesshme që mund të adaptohen në të dyja vendet.
Ky bashkëpunim paraqet një mundësi të vlefshme për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e praktikave demokratike në nivel lokal.