Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, bashkë me drejtoreshën e Strehimores së grave viktimë e dhunës në familje “Shtëpia e Sigurt” në Gjakovë Erblina Dinarama, sot kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, në bazë të së cilës, komuna e Gjakovës, eshte zotuar te mbështes financiarisht “Shtëpinë e Sigurt” përgjatë tri viteve të ardhshme.
Kjo marrëveshje, e cila është ndihmuar dhe përkrahur edhe nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, është nënshkruar në një ceremoni të zhvilluar në Gjakovë, e në të cilën ka marrë pjesë edhe shefi i Misionit te OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, kryetari Gjini ka thënë se kjo mbështetje financiare është më e pakta që komuna e Gjakovës mund të bëj për “Shtëpinë e Sigurt”, dhe se komuna do të anfazhohet per përkrahje te mëtutjeshme per tejkalimin e sfidave te kësaj natyre.
Ndersa, drejtoresha e strehimores ka bërë të ditur se përkrahja financiare e komunës është tejet e mirëseardhur dhe e njëjta pritet të ketë ndikim në përmirësimin e punës dhe shërbimeve qe ofron kjo strehimore.
Nga ana tjetër, ambasadori Jan Braathu është shprehur falënderues për të dyja palët nënshkruese, pasi sipas tij, trajtimi i mirë i grave viktimë e dhunës në familje, tregon për nivelin e lartë dhe emancipimin që ka ajo shoqëri, në rastin konkret komuna e Gjakovës dhe banorët e saj. Ne fund, ambasadori ka theksuar se OSBE mbetet plotësisht i përkushtuar në mbështetjen e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje dhe luftimin e dhunës në familje, dhe partner me komunat dhe strehimoret për vitet ne vijim.