Dita e sotme ka qenë ditë kushtuar në tërësi projekteve infrastrukturore, disa tashmë të inauguruara e disa tjera të nisura, projekte këto të iniciuara nga komuna e Gjakovës dhe të financuara nga ministria e Infrastrukturës e republikës së Kosovës.
Me pjesëmarrjen e kryetarit të komunës Ardian Gjini dhe ministrit të MI-së Pal Lekaj, fillimisht është bërë inaugurimi i urës së re në magjistralen Gjakovë – Junik, saktësisht në afërsi të fshatit Smolicë, urë kjo e cila ishte dëmtuar dy vjet më parë.
Ndërtimi i ri i kësaj ure është financuar në tërësi nga ministria e Infrastrukturës, në shumë mbi 500 mijë euro, ndërsa funksionalizimi i saj do të krijojë lehtësi në qarkullim si dhe në lidhjen e komunës së Gjakovës me komunën e Junikut, fshatrat e Rekës së Keqe por mbi të gjitha edhe me Malësinë e Gjakovës dhe bashkinë e Tropojës.
Kryetari Gjini dhe Ministri Lekaj, gjatë ditës së sotme po ashtu kanë marrë pjesë edhe në fillimin e punimeve për tri projekte tjera infrastrukturore.
Me financim të ministrisë së Infrastrukturës, sot ka nisur ndërtimi i rrugës Dol – Lipovec, në gjatësi rreth 3 kilometra me shumë të investimit rreth 255 mijë euro, pastaj disa rrugëve në fshatin Ramamat me gjatësi të përgjithshme rreth 2.5 kilometra dhe shumë të investimit rreth 170 mijë euro si dhe në fazën e dytë të rrugës “Muharrem Domi”, rrugë e cila përmes kodrës së Çabratit, lidhë pjesën lindore me pjesën perëndimore të qytetit, konkretisht lagjen “Mulla Jusuf” me Fakultetin e Edukimit, faze e parë e së cilës është kryer vitin e kaluar nga komuna e Gjakovës.
Kjo rrugë, që pos krijimit të lehtësirave në qarkullim brenda qytetit, krijon edhe qasje më të lehtë për tek varrezat e Martirëve në Çabrat, është e një gjatësi prej rreth 3 kilometrash, me shumë të investimit rreth 155 mijë euro.