Është finalizuar projekti për instalimin e lidhjes me internet WIFI në Gjimnazin “Hajdar Dushi” i cili është financuar nga Programi i UNICEF-it në Kosovë dhe është mbështetur nga Komuna e Gjakovës.
Gjatë lansimit të këtij projekti, Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, është shprehur tejet mirënjohës ndaj UNICEF-it për mbështetjen e shumë projekteve të rëndësishme për Gjakovën. “Ky investim do të përmirësojë edhe më shumë kushtet e mësimit për nxënësit tanë në këtë shkollë. Është tejet i dobishëm, sidomos në këtë kohë kur po përballemi me COVID-19. Përmes kësaj qasjeje të avancuar në internet, mësimdhënësit dhe nxënësit do ta kenë më të lehtë procesin mësimor. Uroj që ju nxënës të dashur ta gëzoni këtë projekt dhe të vazhdoni të na bëni krenarë me sukseset tuaja” tha ndër të tjera Kryetari Gjini.
Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha se është i lumtur për jetësimin e këtij projekti i cili do të jetë shumë i vlefshëm për këtë shkollë. “Jetojmë në një kohë kur teknologjia është zhvilluar shumë. Prandaj përmes këtij instalimi të lidhjes me internet WIFI, ju do ta keni më të lehtë procesin mësimor” u shpreh ndër të tjera ai.
Ndërkaq, gjatë takimit të përbashkët në kabinetin e tij, Kryetari Gjini e ka nderuar me mirënjohje Shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, për mbështetjen e jashtëzakonshme në shumë projekte që janë realizuar në komunën tonë, me theks të veçantë për përkrahjen gjatë pandemisë.