Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, së bashku me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë Jozsef Bencze, sot, në parkun e madh të qytetit, e kanë bërë zbulimin e pllakës përkujtimore për albanologun hungarez dhe mikun e kulturës shqiptare István Schütz.
Kryetari Gjini dhe ambasadori Bencze kanë thënë se ky është një veprim modest, por në të njëjtën kohë një nderim i madh që i bëhet jetës dhe veprimtarisë shumë vjeçare të albanologut Schütz.
Sipas tyre, kjo pllakë është edhe një dëshmi e vazhdimësisë së miqësisë së sinqertë të dy popujve tanë, shqiptarëve dhe hungarezëve, miqësi e cila është zhvilluar për shekuj të tërë, qysh prej miqësisë dhe bashkëpunimit të dy heronjve tanë kombëtare Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe János Hunyadit.
Në nderim të figurës së albanologut István Schütz, i cili gjatë jetës së tij ka qëndruar edhe në Gjakovë, por në nderim edhe të miqësisë së përhershme të të dy popujve, kryetari Gjini dhe ambasadori Bencze, gjithashtu kanë mbjellë edhe dy pemë në parkun e madh të qytetit.