Gjakovën e kanë vizituar 100 pjesëmarrëset e Kampit Veror Ndërkombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë për vajza (WiSci).
Ato janë mirëpritur edhe nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. “Jam shumë i lumtur që jeni këtu. Shpresoj të kënaqeni dhe të bëni shokë dhe shoqe nga Gjakova” është shprehur ai.
Vajzat e kampit kanë mësuar për projektet që po ndodhin në Gjakovë, ndër to edhe për ato që synim kanë mbrojtjen e mjedisit.
Gjatë qëndrimit të tyre, ato kanë zhvilluar aktivitete në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”, Parkun Kulturor “Ali Podrimja”, Qendrën Krijuese “BONEVET dhe kanë vizituar pjesë të ndryshme të qytetit.
WiSci është kampi i parë veror që po ndodh në rajonin e ballkanit, konkretisht në Kosovë, përmes të cilit vajza nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po trajnohen për shkencën, teknologjinë, inxhinierinë, artin dhe dizajnin. Organizohet nga GirlUp Foundation, ne bashkëpunimin me MCC, MFK, Microsoft, NASA dhe mbështeten nga partnerë të tjerë lokal si OJQ “TOKA”.