Në kuadër të aktiviteteve që komuna e Gjakovës, përkatësisht drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka organizuar në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit, festës së flamurit kombëtar, sot është bërë inaugurimi i Galerisë së Arteve, ambient ky që po i rikthehet Gjakovës pas një mungesë disa vjeçare.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini i shoqëruar nga nënkryetari Flamur Fetahaj dhe drejtorët e drejtorive komunale, e po ashtu edhe shumë adhurues të artit pamor e qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Gjini ka thënë se hapja e kësaj galerie është një lajm i mirë për Gjakovën, pasi e njëjta po hapet në kuadër të shumë angazhimeve tjera që komuna i ka bërë në sferën e kulturës dhe artit, duke përmendur këtu kompletimin e trupës së Teatit “Hadi Shehu”, nisjen e punimeve për Amfiteatrin “Fadil Hoxha” në Çabrat, përfundimin e punimeve të Kinos “Hyrije Hana” e të tjera.
Duke folur për Galerinë e Arteve kryetari Gjini ka thënë se ky ambient është njëri prej më modernëve të këtij lloji në tërë Kosovën dhe kjo nuk është e rastësishme, për faktin se Gjakova për shumë kohë ka qenë qendër e artit pamor në tërë Kosovën, duke nxjerrë emrat më të fuqishëm të kësaj fushe. Kryetari Gjini mes tjerash ka shtuar se kjo Galeri tashmë do të jetë një bazë e mirë për artistët e Gjakovës por edhe tërë Kosovës, prandaj edhe ka ftuar qytetarët që ta vizitojnë sa herë që mundet këtë ambient.
Në emër të shoqatës së artistëve të komunës së Gjakovës, ka folur kryetari i kësaj shoqate Erzen Vala, i cili duke e falenderuar komunën për investimin, ka shtuar se tashmë artistët gjakovarë do ta kanë një vend modern për të shprehur telentin dhe angazhimin e tyre.