Komuna e Gjakovës, përkatësisht drejtoria për Buxhet dhe Financa, ka nisur sot fazën e dëgjimeve buxhetore, për diskutimin dhe planifikimin e buxhetit për vitin 2021.
Për shkak të gjendjes së krijuar si pasojë e Pandemisë Covid-19, kësaj here dëgjimet buxhetore do të mbahen në formën online dhe atë përgjatë 5 ditëve me radhë, por paraprakisht, drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj ka mbledhur kryetarët e Këshillave Lokal, në një takim përmes së cilit synohet planifikimi dhe organizimi I të pesë sesioneve online të dëgjimeve buxhetore.
Fillimisht drejtori Halilaj ka njoftuar kryetarët e Këshillave Lokal, se për shkak të krizës ekonomike të krijuar nga pandemia Covid-19, buxheti total për vitin 2021 do të jetë rreth 27 milion e 89 mijë euro, apo rreth 160 mijë euro më i vogël se buxheti i vitit 2020. Prej kësaj shume, rreth 9.8 milion do të jenë nga granti i përgjithshëm dhe 3.7 milion nga të hyrat vetanake. Duke pasur parasysh krizën financiare në të cilën ndodhet vendi ynë, drejtori Halilaj ka thënë se megjithatë, zvogëlimi i buxhetit nuk është edhe aq i madh dhe si i tillë nuk do të krijojë shumë problem në funksionimin e komunës së Gjakovës.
Ndryshe, dëgjimet buxhetore, do të fillojnë të hënën me 24 gusht dhe do të përfundojnë të premten me 28 gusht dhe me këtë rast ftohen të gjithë qytetarët e interesuar që të marrin pjesë në këto debate, dhe me kërkesat dhe sugjerimet e veta të ndikojnë në organizimin sa më të mirë të buxhetit komunal.
Për orarin e saktë të dëgjimeve buxhetore dhe për formën e pjesëmarrjes, të gjithë të interesuarit mund të njoftohen në ueb faqen zyrtare të komunës së Gjakovës, në linkun e mëposhtëm.
https://gjakova.rks-gov.net/wp-content/uploads/2020/08/Orari-i-degjimeve-buxhetore-2021-1.pdf