Dëgjimet Buxhetore të organizuara nga drejtoria per Buxhet dhe Financa dhe Kuvendi Komunal i Gjakovës janë mbajtur në regjionin e Dushkajës, përkatësisht në fshatrat Bec dhe Cermjan. Të pranishëm në këto takime, në bashkëbisedim dhe prezentim të buxhetit ishin drejtoret komunal, Durim Halilaj i drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Shkumbin Kastrati i drejtorisë për Shërbime Publike dhe Nikollë Lleshi i drejtorisë për Punë të Përgjithshme Administrative.
Gjatë ketyre dy takimeve nga shumica e qytetarëve të pranishëm u konstatua se tashmë komuna ka arritur të kryejë një pjesë të konsiderueshme të infratrukturës rrugore, por kanë kërkuar që në buxhetin e vitit 2022 të futen dhe të përfundohet edhe pjesa tjetër e mbetur si dhe të investohet në ndriçim publik, kanalizim, kanale të ujitjes, gjëra të cilat tashmë janë prioritare për dushkajasit.