Me rastin e 21 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Sindromën Down, Organizata “Handikos”, në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Gjakovës, organizoi një sërë aktivitetesh kulturore me fokus promovimin e përfshirjes, kreativitetit dhe barazisë.
Aktivitetet u realizuan në kuadër të projektit “Zëri i artit – Zëri i përfshirjes”, i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke sjellë mesazhe të rëndësishme për mbështetjen dhe integrimin e personave me Sindromën Down në shoqëri.
Të pranishmëve iu drejtuan me fjalë rasti Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Shefqet Shehu, dhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Adea Roka Pylla, të cilët theksuan rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta dhe përfshirjes së personave me Sindromën Down në të gjitha sferat e jetës.
Programi përfshiu hapjen e një ekspozite artistike, ku u prezantuan fotografi, piktura të realizuara nga grupi i kulturës, si dhe modele tredimensionale (3D) të monumenteve të trashëgimisë kulturore. Aktiviteti vijoi me një shfaqje teatrale dhe performanca vallëzimi nga grupi i valleve dhe aktrimit të Handikos, të cilat u mirëpritën nga të pranishmit.
Përmes artit dhe shprehjes kreative, kjo ditë shërbeu si një rikujtim i rëndësisë së përfshirjes sociale, respektimit të diversitetit dhe fuqisë së komunitetit për të krijuar hapësira të barabarta për të gjithë.