Në Sallën e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë u zhvillua një ndeshje miqësore ndërmjet veteranëve të basketbollit të Žalgiris nga Lituania, ish-kampionë të Evropës, dhe veteranëve të KB Vëllaznimi.
Ky aktivitet sportiv u organizua si vazhdim i miqësisë së krijuar gjatë pjesëmarrjes së përbashkët të veteranëve në turne të zhvilluara në Çeki në vitet 2015 dhe 2016, ku basketbollistët lituanezë kishin shprehur dëshirën për të vizituar Kosovën dhe Gjakovën.
Gjatë qëndrimit në Gjakovë, delegacioni i veteranëve të Žalgiris u prit edhe nga drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Adea Roka Pylla. Me këtë rast, ajo i falënderoi mysafirët për vizitën, për respektin e treguar ndaj veteranëve të Vëllaznimit, si dhe për vlerësimin e shprehur ndaj Kosovës dhe qytetit të Gjakovës.
Komuna e Gjakovës vazhdon të mbështesë aktivitete sportive që forcojnë miqësinë ndërkombëtare, promovojnë vlerat e sportit dhe kontribuojnë në krijimin e lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet sportistëve dhe komuniteteve të vendeve të ndryshme.