Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Adea Roka Pylla, mori pjesë në një takim me përfaqësuesit e Fondacionit për Gjakovën, ku u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe perspektivat e zhvillimit të aktiviteteve kulturore në qytet.
Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua rrugëtimit të përbashkët përmes festivaleve “Ditët e Nëntorit” dhe “Ditët e Shqiptarit”, të cilat ndër vite janë shndërruar në ngjarje të rëndësishme kulturore që promovojnë vlerat kombëtare, identitetin kulturor dhe pjesëmarrjen aktive të komunitetit.
Përfaqësuesit e Fondacionit për Gjakovën shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e vazhdueshme të Komunës së Gjakovës, duke vlerësuar bashkëpunimin institucional që nga organizimet e para të këtyre festivaleve e deri më sot.
Nga ana e saj, drejtoresha Roka Pylla ritheksoi përkushtimin e Komunës për të mbështetur iniciativat kulturore që kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore të qytetit dhe në promovimin e Gjakovës si një qendër e rëndësishme e kulturës dhe artit.
Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe vullneti të përbashkët për të vazhduar mbështetjen e projekteve që forcojnë identitetin kulturor dhe krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e jetës artistike në Gjakovë.