Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, së bashku me Drejtorin për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Gjevalin Nikollbibaj, pritën në takim Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, z. Avni Ahmeti, për t’u informuar nga afër mbi ecurinë e projektit të Rindërtimit të Kadastrit në komunën tonë.
Si pjesë e këtij projekti, në Komunën e Gjakovës janë përfshirë katër zona kadastrale: Gjakovë Qytet (Mulliri i Gutave), Gjakovë Jashtë Qytet (Blloku i Ri dhe pjesa prapa Stacionit të Autobusëve), Jahoc dhe Zidi i Sadik Agës. Në këto zona po kryhen matjet dhe zyrtarizimi i gjendjes faktike, si dhe trajtimi i trashëgimive dhe çështjeve të informalitetit.
Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të kompanisë GeoCad, operatori ekonomik që po zhvillon punimet në këtë fazë, të cilët prezantuan sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballen në terren.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është zgjidhja e problemeve pronësore të grumbulluara ndër vite në këto zona. Për këtë arsye, Komuna fton të gjithë banorët e përfshirë në këtë proces që të paraqiten në zyrat e Operatorit Ekonomik për t’u informuar më hollësisht lidhur me projektin, për të bashkëpunuar në procesin e matjeve në pronat e tyre, si dhe për të dorëzuar dokumentet dhe dëshmitë që lidhen me çështjet pronësore.
Lokacionet e zyrave të Operatorit Ekonomik, ku qytetarët mund të drejtohen, janë:
- Përballë Qendrës Sportive “Shani Nushi”
- Në lagjen “Dardania”, në rrugën kryesore përballë Restaurant “Antika”