Në fshatin Cërmjan, në prani të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, dhe Nënkryetarit Flamur Fetahaj, u bënë përurimi dhe nisja e punimeve për asfaltimin e shtatë akseve rrugore të reja. Ky investim i rëndësishëm synon të përmirësojë infrastrukturën rrugore në këtë zonë, duke lehtësuar qarkullimin dhe duke rritur sigurinë për banorët.
Projekti përfshin asfaltimin e një gjatësi totale prej 1,469 metrash dhe është mbështetur me një investim financiar prej 130,000 eurosh nga Komuna e Gjakovës. Rrugët që do të përfshihen në këtë fazë të investimit janë ato më të rëndësishme për lidhshmërinë lokale, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe jetës së përditshme të komunitetit.
Kryetari Ardian Gjini theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për avancimin e infrastrukturës rrugore, si një nga prioritetet kryesore të administratës komunale. Ai u shpreh se investimet në rrugë janë investime në zhvillimin ekonomik dhe social të komunës, pasi një rrjet i mirë rrugor është baza për lidhjen e qytetarëve me shërbimet, shkollat, tregun dhe mundësitë e tjera.