Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, dhe Marianne Alker, menaxhere e programit “Circular Urban Development – Kosovo4Green” në kuadër të GIZ-it gjerman, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për vazhdimin e punimeve në lumin Llukac.
Ky projekt madhor i tri lumenjve në Gjakovë po realizohet me sukses dhe përfshin punimet në lumin Llukac, lumin Krena – i cili pritet të përfundojë së shpejti si projekt i plotë – si dhe lumin Erenik. Investimi bëhet në kuadër të programit Circular Urban Development – Kosovo4Green, i mandatuar nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, bashkëfinancuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike dhe i zbatuar nga GIZ.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Kryetari Gjini shprehu mirënjohjen e tij ndaj GIZ-it për këtë iniciativë që do të transformojë lumin Llukac dhe hapësirën përreth, duke e pasuruar edhe më tej zonën urbane të komunës sonë.