Nën kryesimin e Kryesueses së Kuvendit, znj. Arbënesha Kuqi, u mbajt mbledhja e tetë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës për vitin 2025.
Me shumicë votash, u miratua Projekt-Buxheti i Komunës së Gjakovës për vitin 2026, me vlerë totale prej 42,393,244.00 €. Kryetari i Komunës, z. Ardian Gjini, theksoi transformimin e jashtëzakonshëm të buxhetit komunal gjatë viteve të fundit, duke theksuar rritjen e të hyrave dhe investimeve kapitale që pozicionojnë Gjakovën në një fazë zhvillimi të shpejtë.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, z. Durim Halilaj, njoftoi se projektbuxheti është përgatitur në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe paraqet një buxhet gjithëpërfshirës dhe zhvillimor për të gjithë qytetarët e komunës. Ai vuri në pah rritjen prej 1.8 milionë euro nga viti i kaluar dhe ngritjen e të gjitha kategorive buxhetore.
Gjatë mbledhjes u miratuan edhe dy dokumente kyçe për transparencën institucionale: Draft-Rregullorja dhe Draft Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Gjakovës, të prezantuara nga Udhëheqësi i Sektorit për Raportim, Informim dhe Bashkëpunim, z. Artan Haraqia.
Ndër pikat e tjera të miratuara ishin edhe një deklaratë mbështetëse për eliminimin e dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike, e cila u votua unanimisht nga kuvendarët, si dhe informata për punën e Kuvendit për periudhën janar–gusht 2025, prezantuar nga Kryesuesja Kuqi.
Ky buxhet përbën një dokument kyç për zhvillimin institucional dhe ekonomik të Komunës së Gjakovës për vitin që vjen, duke garantuar investime dhe shërbime më të mira për qytetarët.